Gjirokasta The Stone  City   ~     Gjirokastra  Qyteti i Gurtë          

Kalaja dhe Muzeu i Armëve

Picture
Pamje e kalasë nga pjesa jugore e qytetit
Kalaja është e hapur gjatë gjithë vitit (prill-shtator ora 09.00-19.00, tetor-mars 09.00-17.00)  dhe vizita kushton 200 lekë. Një bar shërben brenda mureve të kalasë.   
Kalaja,që është pa dyshim një nga ndërtimet më madhështore të qytetit, qëndron mbi një kreshtë me qytetin që shtrihet rreth saj. Nga muret e Kalasë shpalosen pamje spektakolare të luginës së lumit Drino dhe maleve për rreth. Në rrjedhën e shekujve Kalaja ka pësuar ndryshime dhe zgjerime: fortifikimet e mëdha janë bërë nën Despotatin e Epirit në shekujt XII-XIII. Pas pushtimit osman në fund të shek XIV u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811 Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin që sillte ujin në kala nga afro 12 km largësi. Në vitet ’30 në Kala italianët ndërtuan burgun sipas kërkesës së mbretit Zog, i cili u mbyll në vitet 1960.    




Çfarë mund të shihni në Kala:
Tyrbja e Bektashinjve
Pasi kaloni hyrjen e kalasë merrni kthesën e parë djathtas. Duke vazhduar drejt rreth 50 metra do shihni majtas një ndërtesë të vogël ngjeshur pas mureve mes një kopshti të vogël. Kjo është një tyrbe bektashiane, ku janë varrosur dy baballarë bektashinj.

Galeria e topave   
Nëse në hyrje kthehesh majtas, do shihni një galeri të gjatë me armë artilerie të rreshtuara. Këto janë armatime të braktisura ose të kapura forcave pushtuese fashiste e nazistë gjatë Luftës II Botërore. Në fund të galerisë ka një tank italian, prodhuar nga Fiati në periudhën 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve 
I hapur fillimisht më 1971, Muzeu Kombëtar i Armëve është i vendosur aty ku ndodhej më parë një pjesë e burgut. Në muze paraqiten armët trofe që nga viti 1912 deri në fund të Luftës II Botërore. Pjesa më e madhe e muzeut i kushtohet luftës partizane kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë nga viti 1939 deri me 1944.  Hyrja në Muze është 200 lekë. Në Zyrën e Informimit Turistik mund të gjeni një broshurë që shpjegon më gjerësisht përmbajtjen e muzeut.

Burgu 
Hyrja për në ish-burgun është sapo futesh në Muzeun e Armëve, pas një dere  metalike. I hapur më 1932, burgu u përdor fillimisht nga regjimi i mbretit Zog, pastaj nga pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe së fundi nga regjimi komunist deri më 1968. E vizitueshme është vetëm pjesa që u kthye në muze nga regjimi komunist në vitet ’70. Mund të dilni edhe në tarracën e burgut nëse merrni në të djathtë të hyrjes kryesore. 

Avioni amerikan 
Pranë mureve që shohin mbi qytet janë paraqitur mbetjet e një avioni të United States Air Force, një Lockheed T-33 stërvitor dyvendësh. Aeroplani u detyrua të ulej në aeroportin e Rinasit, pranë Tiranës më dhjetor 1957, për shkak të problemeve teknike. 

 


.

Picture
Skena e Festivaleve gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar
Skena e Festivaleve
Skena u ngrit në vitet ’80 dhe që atëherë aty është zhvilluar Festivali Folklorik Kombëtar. Festivali mbahet një herë në 4 vjet. Skena përdoret gjithashtu edhe për shfaqje të ndryshme gjatë festave lokale.


Muzeu Etnografik

Picture
Nje nga hapesirat e muzeut Etnografik
Muzeu Etnografik i Gjirokastrës ndodhet në lagjen Palorto, që është më e mirëmbajtura në qytetin historik dhe pikërisht në vendin ku ishte shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë nga 1944 deri në 1985. Ndërtesa e muzeut është ngritur më 1966 pasi shtëpia origjinale ishte shkatërruar nga zjarri. Ajo u rindërtua si një model tradicional i shtëpive gjirokastrite me shumë përbërës  kulturorë tradicionalë klasikë, që u kopjuan nga shtëpi të ndryshme në qytet. Nga 1966 deri më 1991 ndërtesa shërbeu si Muze Antifashist. Më 1991, këtu u sollën eksponatet e muzeut të atëhershëm etnografik.  Ndërtesa ka 4 kate, të cilat janë që të gjitha të hapura për publikun.  

Dhomat janë rregulluar sikur të ishin në përdorim dhe janë zbukuruar me sende shtëpiake, kostume popullore, objekte artistike e kulturore tipike për familjet e pasura të tregtarëve gjirokastritë ose administratorëve otomanë të shekullit të XIX-të.





Shtëpia e Zekateve

Picture
Nje nga Dhomat e medha
EKZEMPLARI MË I MIRË I KULLËS SË TIPIT OTOMAN QË KA MBIJETUAR NË  GJIROKASTËR”

Shtëpitë e larta të fortifikuara të tipit kullë(fjala kullë e ka origjinën nga turqishtja) u përkisnin pronarëve të pasur, si zyrtarëve të administratës ose tregtarëve. Ato kanë të gjitha një kompozim bazë: një kat të poshtëm ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen, zakonisht me shumë kurorë. Nëpër mure ka frëngji për të mundësuar mbrojtjen nga armiqtë. Shtëpia e Zekateve është një shembull i mrekullueshëm i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Prej këtu pamjet nga lart e qytetit dhe të luginës së lumit Drino janë spektakolare.

Shtëpia ka tre kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera. Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja. Në qendër të katit, pranë shkallëve është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve.
 




MONUMENTE

Picture
Heroinat Partizane
Monumenti heroinave
Në sheshin qendror të qytetit është një monument i gurtë, që paraqet dy vajza me një  qëndrim heroik me litar në qafë. Monumenti nderon dy vajza të reja partizane Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, që u varën nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore më 1944.

Personalitete e qytetit
Në të djathtë të hotelit “Çajupi” ka një monument të ndërtuar kohët e fundit nga Bashkia kushtuar tre qytetarëve të njohur të Gjirokastrës, të cilëve u është dhënë titulli “Nderi i Qytetit”: Eqrem Çabej gjuhëtar i shquar, shkrimtari Ismail Kadare, dhe Musine Kokalari, shkrimtare dhe bashkëthemeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare më 1943. Musine Kokalari kaloi 37 vjet në burgjet e regjimit komunist dhe vdiq e harruar në veri të Shqipërisë.

Monumenti i Çerciz Topullit
E vendosur në sheshin kryesor që ka marrë emrin e luftëtarit të  famshëm të Pavarësisë Kombëtare Çercis Topulli,  statuja është vepër skulptorit të madh shqiptar Odhise Paskali. Çerçizi dhe vëllai i tij Bajo Topulli janë nga një familje ndër më të njohurat në Gjirokastër. Ata ishin udhëheqës të një çete patriotike që luftonte kundër pushtimit osman. Çeta vrau më 1908 bimbashin turk, shefin e policisë së Gjirokastrës.  Po ta shihni me kujdes statujën do dalloni një vrimë në kofshën e djathtë, që u shkaktua nga të shtënat me revolver të një oficeri të dehur italian gjatë Luftës së Dytë Botërore. 


.

Picture
Obelisku

Ky monument, i quajtur “Mëmëdheu ABC”, është ngritur në nderim të arsimit në Shqipëri në shekullin XX. Prej këtu pamjet e qytetit janë mahnitëse, veçanërisht lagja historike Varosh (poshtë), Palorto (kodra në të majtë) dhe Dunavat (kodra më lart në të majtë). Në ndërtesën pranë u hap më 1908 shkolla e parë shqipe në Gjirokastër. Nën sundimin osman shkollat shqipe nuk lejoheshin, prandaj ky ishte një akt i madh heroizmi për rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky është edhe vendi ku jetoi një nga bijtë më të shquar të qytetit, Eqrem Çabej. Sot ndërtesa është seli e Zyrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës. 

Ura e Ali Pashës

E njohur si Ura e Ali Pashës monumenti në të vërtetë është i vetmi hark që ka mbetur nga ai çka në shekullin XIX ishte një rrjet i tërë ujësjellësish. Ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, ujësjellësi furnizonte sterat e kalasë me ujë nga një largësi prej gati 12 kilometrash. Ekskursioni për të parë urën, e cila është në lartësitë e lagjes Manalat, zgjat dy orë duke u nisur që nga Zyra e Informimit Turistik, ku mund të merrni dhe udhëzimet përkatëse. Pjesa më e madhe e rrugëtimit është nëpër qytet, por 10-15 minuta do të ecni në një shteg malor. Rekomandohet që të mbathni këpucë të përshtatshme për terren me zhavorr dhe një kapelë që t’ju mbrojë nga rrezet e diellit nëpër rrugën që nuk ka shumë hije.



Vende Fetare 

Picture
KISHA  E SHEN  SOTIRIT - Bazilika e kësaj kishe që ndodhet në lagjen Pazar i Vjetër është ndërtuar më 1784. Projektuar në stilin tipik ortodoks, ajo ka formë katrore dhe vendosje në drejtimin lindje-perëndim. Kisha quhet edhe “Mitropolia e Vjetër”, ngaqë ishte dikur selia e peshkopëve vendorë. Kishat tipike ortodokse përfaqësojnë gjithësinë. Tavani me kube përfaqëson Qiellin dhe është zbukuruar me piktura të mëdha të Krishtit, që sheh poshtë grigjën e  besimtarëve. Dyshemeja e kishës paraqet këtë botë.
Altari kryesor ngrihet nga toka nëpërmjet një shkallareje që qëndron pezull mes Qiellit dhe Tokës. Pranë hyrjes një ikonë që qëndron mbi një mbështetëse të gdhendur, simbolizon shndërrimin hyjnor të Krishtit. Brendësia e kishës është dëmtuar rëndë gjatë komunizmit. Muret dikur ishin krejtësisht të pikturuara me ikona, që u shkatërruan që të gjitha. Ikona në korniza mbulojnë tani muret, shumë nga të cilat të pikturuara kohët e fundit nga piktorë vendas, të specializuar për restaurim dhe art fetar.

Froni i zbukuruar me gdhendje në pjesën kryesore të kishës (nava) ishte caktuar dikur për peshkopët. Nga tavani varen shandanë metalikë të zbukuruar dhe mbajtëse temjani. Kthina e tretë e kishës është faltorja, që ndahet nga pjesa tjetër përmes ikonostasit të zbukuruar me gdhendje. Ikonostasi kufizon hyrjen në faltore, ku nuk duhet të futen për njerëz që nuk janë shërbyes të konsakruar nga Kisha Ortodokse. Ai përbëhet  nga dy pjesë dhe është origjinal, i punuar që me ndërtimin e kishës. Origjinale të shekullit XVIII-XIX janë edhe të gjitha ikonat e vogla në pjesën e sipërme të tij. Shumë nga ikonat e tjera janë plotësuese, për shkak se origjinalet humbën gjatë viteve të komunizmit.  


XHAMIA

Picture
Xhamia që ndodhet pranë Qafës së Pazarit është e hapur çdo ditë. 
Mendohet që kjo xhami mbijetoi për shkak të statusit të saj si monument kulture. Ajo i shpëtoi furisë së regjimit komunist më 1967, kur, 12 prej 13 xhamive që kishte Gjirokastra në atë kohë, u shkatërruan. Mbas kësaj, ajo u përdor për të mësuar akrobatët e cirkut, gjë që e mundësonte kubeja e lartë. Kjo xhami ishte pjesë e planit fillestar të Memi Pashës për Pazarin, që u ndërtua në shekullin e 17-të. Ajo u shkatërrua nga zjarri i shekullit pasardhës që dogji pjesën më të madhe të Pazarit; viti 1757 është koha e rindërtimit të saj bashkë me Pazarin.    

Në rrugë, në anën perëndimore është një ndërtim i vogël tetëkëndësh, që shërben për ritualin e larjes së duarve dhe këmbëve përpara hyrjes në xhami. Sipas traditës gratë falen veçmas nga burrat dhe kanë hyrje më vete. Poshtë hyrjes ka një portik, i cili kishte shitore. Paratë e mbledhura nga qiraja e tyre përdorej për të mirëmbajtur xhaminë.  Rruga kalonte dikur përmes hapësirës së shitoreve për të tërhequr kalimtarët.    

Hapësira e brendshme kryesore është vendi i lutjes së besimtarëve. Vendi në murin përballë është për imamin, i cili qëndron në drejtim të Mekës, drejt së cilës besimtarëve myslimane drejtohen gjatë faljes.

Shkallarja e vogël në të djathtë të vendit të imamit, është vendi ku ai qëndron për të dhënë mesazhin e javës gjatë faljes së mesditës së të premtes. Në qoshen në të djathtë të hyrjes kryesore është hyrja që të çon në minare, e cila me 99 shkallët e saj përfaqëson 99 cilësimet që i jepen Zotit në Kuran.

Pranë mund të shihni një ndërtesë të verdhë që duket si xhami me çatinë e sa me kube. Kjo ndërtesë tetëkëndëshe me dy kate, e ndërtuar më 1727, ishte dikur teqe bektashiane. Ajo u mbyll në periudhën komuniste. Sot është medrese-shkollë myslimane.   


Mbetjet e Xhamisë së Meçites, Hamami dhe shtatë krojet

Picture
Kompleksi Shtatë Krojet është ndërtuar në themelet e Xhamisë së Meçites e njohur fillimisht si xhamia e Haxhi Muratit. Mbetjet e minares janë farë pranë në të djathtë të krojeve. Mbi themelet origjinale të xhamisë së shkatërruar nga regjimi komunist tani është ndërtuar një shtëpi. Pak metra më tej, duke kaluar përmes tri shkallëve, mund të shohësh krojet, disa nga të cilat kanë ende ujë që rrjedh nën mbishkrimet e bukura të përkushtimit. 
Në këto kroje bëhej dikur rituali i larjes (avdes) para faljes në xhami. Nga ana tjetër është Hamami, siç quheshin banjat tradicionale turke, tani për tani i mbyllur në pritje të restaurimit të mëtejshëm.
Siç ishte e zakonshme në banjat turke të këtyre anëve, çatia është e mbuluar me “luspa” tradicionale prej pllakash guri të përhime. 
Hamami dhe i gjithë sheshi është restauruar vitet e fundit nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës.