Data të rëndësishme në kalendarin e Gjirokastrës
1 Janari: Dita e Viti të Ri. Kjo është festa më popullore në Shqipëri. Jeta ndalon thuajse tërësisht pasditen e pragut të festës, ndërsa të gjithë shtrojnë tryezat dhe përgatiten për festimet e mbrëmjes me shumë fishekzjarre.
Maj: Festivali i instrumenteve të muzikës popullore, që organizohet nga Këshilli i Qarkut.
Maj: Panairi tradicional i gatimit, një tjetër veprimtari e Këshillit të Qarkut.
6 gusht: Festa e fshatit Sotirë, në të cilët vizitorët janë të mirëpritur me pije dhe ushqim lokal.
18 shtator: Dita e Çlirimit të Gjirokastrës. Kjo është dita e çlirimit nga nazistët më 1944. Bëhen homazhe në përkujtimoret e ndryshme të luftës ngado nëpër qytet dhe zakonisht ka dhe ndonjë koncert muzikor në skenën e Kalasë, që pasohet në mbrëmje me fishekzjarrë.
28 Nëntori : përkujton Ditën e Pavarësisë (1912)
29 Nëntori, Dita e Çlirimit (1944). Festimet kryesore bëhen në Kala me muzikë dhe fishekzjarrë.
4 dhjetor: Zhvillohet një ceremoni e shkurtër për të përkujtuar ngritjen për herë të parë të Flamurit Kombëtar në Gjirokastër më 1912, në vitin e pavarësisë.
Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastra është qyteti i festivalit folklorik tradicional, i famshëm edhe jashtë vendit, që zhvillohet këtu një herë në 4 vjet, në vjeshtë. Për herë të parë Festivali u zhvillua më 1968. Që nga ajo kohë Gjirokastra u bë simbol i folklorit tradicional shqiptar. Ky festival që bëhet në qiell të hapur në Kalanë e Gjirokastrës, sjell traditën më të mirë folklorike shqiptare përfshirë muzikën, vallen, artin folklorik dhe kostumet.
Rreth 1100 këngëtarë dhe valltarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra morën pjesë në shfaqjet e festivalit të fundit që u zhvillua nga 29 shtatori deri në 5 tetor 2004. Festivali i radhës pritet të zhvillohet në vjeshtë 2009.